11 shtator, 2017 – Në ditën e dytë të qëndrimit në Duisburg, Kombëtarja  U-19 e femrave, një ditë para ndeshjes me Kombëtaren e Gjermanisë në kuadër të ndeshjeve parakualifikuese për Kampionatin evropian, mbajti seancë stërvitore. Edhe në këtë stërvitje fokusi ishte në lojën mbrojtëse dhe kundërsulme si dhe gjuajtjet nga këndi dhe të lira me situata të ndryshme. Futbollistet e Kombëtares iu kanë qasur këtyre kualifikimeve me seriozitetin më të madh dhe po punojnë me përkushtim për të arritur rezultate të favorshme.  Nesër Kombëtarja e ka ndeshjen e parë kundër Gjermanisë në orën 16.00. Pas stërvitjeve ja se çka deklaruan disa nga protagonistët:

Kushtrim Munishi, përzgjedhës
Jemi të vetëdijshëm për cilësitë e Gjermanisë. E dimë që do ta kemi përballë një Kombëtare  të fortë, mirë të organizuar në të gjitha repartet, por edhe ne kemi punuar mjaft shumë, që jo vetëm të kemi paraqitje të mirë, por të tregohemi edhe rival të denjë përballë një Gjermanie të fuqishme. Besoj shumë në këtë grup të futbollisteve dhe e di që do ta japin maksimumin nga vetvetja.

Marigonë Tahiri, kapitene
 E dimë që do të përballemi me një Kombëtare të fortë. Por, edhe ne jemi përgatitur këta muaj me aq sa kemi mundur që të jemi të barabarta dhe do të angazhohemi maksimalisht që të nxjerrim rezultat të favorshëm.
 
 
Leonorë Ejupi, futbolliste
Kemi punuar shumë në stërvitje duke e ditur se do të ballafaqohemi me një ekip të fortë siç është Gjermania. Ndaj, qëllimi ynë është ta zhvillojmë një ndeshje të mirë dhe të arrijmë rezultat pozitiv.