22 tetor, 2017 – Në ditën e dytë të Kampit Edukativ Socializimi dhe Barazia Gjinore, me moton “Futboll për qef, Futboll për krejt”, djemtë e vajzat pjesëmarrës kanë vazhduar me aktivitete të ndryshme, me lojëra shumë tërheqëse për këto grup-mosha që përkojnë me lojën e futbollit. Përderisa, dje lojërat e futbollit u zhvilluan me ekipe të përziera djem e vajza, e ku vajzat si duket të motivuara nga ligjërata për barazi gjinore, nuk ishin inferiore në duele me djemtë, madje duke i fituar shumë duele, sot lojërat e futbollit u zhvilluan me ekipe kryesisht të djemve veç dhe vajzave veç, ku u treguan shumë magji për lojën e futbollit dhe disiplinë por edhe rivalitet. Ky kamp plotësisht ka përmbushur qëllimin dhe objektivin e FFK-së për grup-moshat e reja, për trajtimin e barabartë të vajzave dhe djemve në zhvillimin dhe përparimin e futbollit në Kosovë me gjithpërfshirje të gjinive dhe komuniteteve. Kampin e shpalli të mbyllur anëtarja e KE të FFK-së njëherësh kryetare e Komisionit të futbollit të femrave, Vjollcë Krasniqi, e cila edhe njëherë ka falënderuar profesorët, nxënësit, pronarin e akademisë ‘Sopa Sport’, ku u mbajt kampi, transportuesit e kompanisë “Nderimi” me pronarin Gëzim Hoti që të gjithë këta dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për mbarëvajtjen e këtij kampi, i cili arriti qëllimin dhe objektivin e tij. Pas përfundimit të kampit ja se çka deklaruan disa nga pjesëmarrësit.

Vjollcë Krasniqi, anëtare e KE të FFK-së

Mendoj se për dy ditë me radhë sa zgjati ky kamp, është arritur qëllimi dhe është përmbushur objektivi i kampit edukativ barazi gjinore dhe socializim me moton Futboll për qef , futboll për krejt. Ishin të përfshirë të dyja gjinitë dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, që e bën këtë kamp shumë gjithpërfshirës dhe të dobishëm, për vet pjesëmarrësit por edhe për FFK-në që ka një kujdes të veçantë për grup-moshat e reja. Ka pasur një angazhim të jashtëzakonshëm të organizatorëve, profesorëve të Kulturës fizike, disiplinë dhe përkushtim të vajzave dhe djemve dhe kjo ka një porosi se kampet e tilla dhe formate të tilla duhen të organizohen edhe në të ardhmen.
 

Diturie Hoxha, përgjegjëse e kampit

Kampi e ka arritur qëllimin me këtë grup prej 150 nxënësish të 7 rajoneve – fëmijët janë kënaqur duke luajtur futboll dhe në fushën e lojës, në mënyrë spontane, kanë aplikuar parimet e barazisë në të gjitha aspektet, duke vërtetuar në këtë mënyrë se trajtimi i barabartë vjen në mënyrë të natyrshme. Një gjë tjetër me rëndësi është që përmes këtij aktiviteti dhe të tjerë të ngjashëm t’i nxisim fëmijët që të merren me futboll pa e pasur atë qëllim karriere sepse në radhë të parë futbolli është lojë e cila të jep kënaqësi. Zhvillimi i talentit dhe profesionalizimi vjen si rezultat i pasionit për të, disiplinës dhe mprehjes se aftësive.
 
 

Shpresa Berisha, profesoreshë

Unë këtë kamp e vlerësoj shumë pozitivisht dhe qëllimi i tij ishte barazia gjinore dhe socializimi i fëmijëve. Për këto tri ditë fëmijët patën rastin të nihen mes vete të shijojnë gjithë atë që ofron sporti në veçanti futbolli. E falënderojmë FFK-në, e UEFA-n që ka mbështetur kësi lloj kampi. Ky kamp e ka përmbushur qëllimin dhe mendoj të tilla kampe duhen të organizohen edhe në të ardhmen për të gjitha grup-moshat e reja.
 
 

Valmir Bytyqi, profesor

 
Pikë së pari qëllimi i këtij kampi është arritur. Vet motoja e këtij kampi Futboll për qef dhe futboll për krejt, flet mjaft se duhet të ketë një barazi gjinore dhe se femrat nuk duhet të jenë inferiore dhe i inkurajojmë që të ecin tutje. Unë besoj se këta djem e vajza këtë përvojë do ta përcjellin te moshatarët e tyre dhe dashuria ndaj futbollit do të rritet.
 
 

Jora Pruthi, pjesëmarrëse

Për mua ishte një kënaqësi që të jem pjesëmarrëse në këtë kamp. U kënaqem me lojëra të ndryshme dhe lojën e futbollit. Patëm rastin edhe të njihemi me bashkëmoshatët nga mbarë Kosova. Kësi kampesh duhet të organizohen edhe më shpesh.
 
 
 
 

Alketa Baftijari, pjesëmarrëse

E falënderojë arsimtaren që më ka përzgjedhë për këtë kamp. E po ashtu edhe FFK-në dhe UEFA që na ka dhënë këtë mundësi të shoqërizohemi dhe ta njohim më shumë njëri – tjetrin si dhe për mundësinë të shijojmë këto lojëra dhe lojën e futbollit.
 
 
 

Uran Bala, pjesëmarrës

Mua më ka përlyer shumë ky kamp. Pamë lojëra të ndryshme. Lojëra të futbollit dhe një organizim i mirë. Ky kamp na mësoi se si djemtë ashtu edhe vajzat i trajton të barabarta dhe ofron mundësi të njëjta. Mendoj se kampe të tilla duhet të organizohen edhe në të ardhmen.