8 nëntor, 2017 – Kombëtarja U21 sonte në mbrëmje ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së nesërme kundër Izraelit, që zhvillohet në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, në orën 19:00. Pikërisht në këtë stadium Shpresat e Kosovës e mbajtën stërvitjen e fundit, ku shihej një harmoni e madhe brenda ekipit. Atmosfera në Kombëtare është jashtëzakonisht e mirë, derisa entuziazmi për një tjetër paraqitje dinjitoze është i madh. Po ashtu gëzon fakti se të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të gjithë janë të gatshëm dhe në dispozicion për sfidën e nesërme. Seancën e sotme stërvitore nga afër e ndoqën edhe anëtari i KE të FFK-së, Xhelal Broja dhe drejtori teknik, Michael Nees. Djelmoshat dhe stafi i Kombëtares U21 presin që në ndeshjen e nesërme do ta kenë përkrahjen e madhe të tifozëve, e cila do t’u jepte forcë shtesë për ta finalizuar me sukses punën e bërë gjatë këtyre ditëve.

Deklaruan pas stërvitjes

Rafet Prekazi: Si çdo herë edhe në këtë ndeshje pres angazhim maksimal të futbollistëve. Ne kemi punuar për të pasur një paraqitje të mirë dhe për të arritur sukses, por duhet pasur parasysh se në futboll asnjë ndeshje nuk është e  njëjtë, secila i ka veçoritë e saj. Jemi përfaqësuese e re në Evropë, prandaj duhet të japim mbi 100 përqind për t’i treguar Evropës se lojët e paraqitura në ndeshjet e kaluara nuk kanë qenë të rastësishme dhe se më nuk jemi kafshatë e lehtë për askënd. Jemi të vetëdijshëm për kualitetin e Izraelit, mirëpo këtu ka brumë dhe vetëm duhet që populli t’i përkrahë dhe t’u japë kurajë. Gjithsesi, ne duhet të flasim pak e të punojmë shumë dhe sigurisht se as rezultatet nuk do të mungojnë. Të gjithë duhet të mburremi me këta djelmosha që japin maksimumin e tyre për shtetin e tyre.
Visar Bekaj: Kemi një atmosferë shumë të mirë në ekip. Entuziazmi është i madh tek të gjithë djemtë. Jemi kompakt si ekip, ngase e njohim tash më mirë lojën e njëri-tjetrit. E dimë se Izraeli është një kundërshtar i papërshtatshëm, por shpresoj se nesër edhe me përkrahjen e tifozëve do të arrijmë të triumfojmë.
Ardit Gashi: Shpresoj të vazhdojmë me paraqitje të mira. Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Mendoj se presioni tek ne tash është më i vogël, pasi me lojërat që i kemi treguar në ndeshjet e kaluara kemi dëshmuar se kemi kualitet dhe tash edhe rivalët na e kanë frikën.  Jam i lumtur që do të luajmë sërish para tifozëve tanë dhe sigurisht se ata do të na japin motiv shtesë për të arritur fitore.