20 janar, 2018 – Mbi 500 futbollistë të moshës 13 deri 19 vjeçare, trajnerë e gjyqtarë të rinj dhe vëzhgues me ligjëratat në rajonin e Pejës dhe Gjakovës, kanë nisur aktivitetin dhe fushatën e FFK-së për vetëdijesimin dhe në parandalimin e kurdisjeve dhe dukurive negative në futbollin e Kosovës. Kështu që z. Ejup Osmani zyrtar për integritet i ndihmuar edhe nga zyrtari për TI në FFK, z. Dardan Sadiku sot ka ligjëruar para futbollistëve të rinj, trajnerëve, gjyqtarëve të rinj të Pejës dhe Gjakovës. Zyrtari për integritet i FFK-së, z. Ejup Osmani ka folur para të rinjve se sa rëndësi u jep FFK-ja dhe sa është me rëndësi roli i tyre në mbarëvajtjen e garave, për mbrojtjen dhe mënjanimin e dukurive negative me theks të veçantë për të parandaluar manipulimet dhe trukimet e ndeshjeve. Tutje z. Osmani tha se garat duhet të jenë të rregullta në frymë sportive, duke ju bërë ballë presioneve të ndryshme nga manipulatorët, paraja e të cilëve është e pistë dhe vjen nga krimet, droga dhe marifetllëqët e ndryshme. Ju si të rinj do të përballeni me sfida nga më të ndryshmet sepse njerëzit e pandërgjegjshëm do të orvaten ta shfrytëzojnë moshën e juaj të re, papërvojën dhe sinqeritetin tuaj për të arritur qëllimet e tyre të këqija dhe të dëmshme jo vetëm për garat por edhe zhvillimin e karakterit tuaj sportiv e intelektual si njerëz të kësaj shoqërie. Ne jemi të vendosur që gjatë gjithë garave të kampionatit dhe jo vetëm gjatë garave për gjatë gjithë kohës të mbikëqyrim zhvillimin e ndeshjeve, prandaj duhet të japim të gjithë kontributin që të kemi gara të shëndosha me integritet dhe suksesi e rezultati të jenë gjithmonë si epilog i asaj çka tregojnë skuadrat në fushë.
Mund të konstatohet se fillimi i kësaj fushate tregoi një interesim jashtëzakonisht të madh që u pa nga numri i pjesëmarrësve dhe që do të vazhdojë në të gjitha rajonet tjera.
Orari i ligjëratave nëpër rajone:
Më 21 janar
Prizreni prej orës 12.00
Suhareka prej orës 14.00
Më 27 janar
Prishtina prej orës 11.00
03 shkurt
Gjilani prej orës 14.00
03 shkurt
Ferizaj prej orës 12.00
04 shkurt
Mitrovicë prej orës 12.00.