​29 prill, 2018 – Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 29-të në Vala Superligë. Drita ka shënuar fitore në duel me Feronikelin, në ndeshjen e zhvilluar në Gjilan në një atmosferë impozante, duke e ruajtur epërsinë prej 3 pikëve ndaj Prishtinës. Drita deri te fitorja arriti me përmbysje të rezultatit, me shifrat 3:1. Feronikeli kaloi në epërsi me golin e Mendurim Hotit, në minutën e 27-të. Gjilanasit e barazuan rezultatin minutën e 62-të, kur Bujar Shabani realizoi nga afërsia pas harkimit nga krahu i djathtë. Pas këtij goli gjilanasit e shtuan presionin drejt portës së Faton Malokut dhe në minutën e 89-të fituan një penallti pas prekjes së topit me dorë brenda zonës, e të cilën në gol e shndërroi Fidan Gërbeshi. Ndërkaq, fitoren e Dritës e vulosi Leotrim Kryeziu, në minutat shtesë, pas një kundërsulmi të shpejtë. Fitore si vendase ka realizuar edhe Prishtina në duel me Llapin, me rezultat 3:2. Golat për Prishtinën i shënuan Ahmed Januzi (1′, 32′) dhe Arbër Hoxha (21′), derisa për llapjanët shënuan Zhdrella (5′) dhe Merlaku (88′). Në dy ndeshjet e tjera, Trepça’89 – Flamurtari dhe Vëllaznimi – Besa,  nuk pati fitues e as gola.