28 qershor, 2018 – Klubi i futsallit, FC Feniks nga Drenasi e ka fituar nga UEFA organizimin e rrethit të dytë Ligës së Kampionëve në futsall, i njohur si “Main Round”. Ky rreth i garave do të mbahet prej 2 deri më 7 tetor në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Tërheqja e shortit për grupin ku do të jetë mikpritës FC Feniks, do të bëhet më 5 korrik në Nyon, por tashmë është e ditur se në kryeqytetin tonë do të zbarkojnë emra të njohur të futsallit. Pa dyshim se besimi që i ka ofruar UEFA klubit Feniks për të qenë mikpritës i këtij rrethi është një tjetër hap i rëndësishëm, pasi në këtë mënyrë çdo ditë e më shumë po dëshmohet se FFK-ja dhe klubet në tërësi janë në rrugën e zhvillimit të hovshëm.