11 maj, 2018 – Komisioni i FFK-së për licencimin e klubeve për garat evropiane ka mbajtur sot një konferencë për media ku ka shpalosur detajet rreth procesit të sivjetmë të licencimit. Kryetari i këtij komisioni, Naim Havolli dhe menaxheri i licencimeve, Bajram Shala, kanë shpalosur para medieve klubet të cilat e kanë kryer me sukses licencimin në këtë vit, por edhe për detajet tjera gjatë këtij procesi.
Fillimisht Bajram Shala ka bërë të ditur se pjesë e këtij procesi sivjet kanë qenë 10 klube të Superligës, derisa gjashtë prej tyre kanë pasur aplikim të suksesshëm, që nënkupton se Komisioni i Shkallës së Parë ka vendosur që gjashtë prej këtyre klubeve të marrin licencën për garat e UEFA-s, për edicionin 2018/19, kurse katër tjera janë refuzuar, pasi nuk i kanë përmbushur kriteret. Klubet që kanë arritur t’i plotësojnë kriteret janë Drita, Prishtina, Trepça’89, Liria, Llapi dhe Gjilani, derisa në këtë mision kanë dështuar Feronikeli, Vëllaznimi, Drenica dhe Flamurtari, teksa Besa dhe Vllaznia nuk kanë aplikuar fare për aplikim. Shala ka theksuar se disa klube duke e parë që nuk kanë mundësi të arritjes në vendet që sigurojnë daljen në Evropë nuk kanë shfaqur më interesim për t’i shkuar këtij procesi deri në fund. Tutje Shala ka thënë se derisa në vitin e parë pas pranimit procesi i licencimit është bërë nën monitorimin e UEFA-s, për të dytin vit radhazi i gjithë procesi është bërë në mënyrë të pavarur nga FFK dhe me kalimin e kohës edhe interesimi i klubeve për ketë proces po rritet.
Sa i përket arsyes së refuzimit të katër klubeve nga Superliga ka folur Naim Havolli. Ai me këtë rast theksoi se klubet që nuk janë licencuar për gara të UEFA-s nuk kanë arritur t’i përmbushin me sukses të gjitha kriteret e kërkuara. Ai ka thënë se Drenica, Feronikeli dhe Flamurtari kanë pasur ngecje në disa pika të kritereve, si atij financiar, ligjor dhe infrastrukturor, derisa mungesa të shumta në dokumentacion ka pasur edhe Vëllaznimi, klub i cili do të luajë në finale të Digitalb Kupës së Kosovës, por edhe nëse arrin ta fitojë kupën nuk do të mundet të përfaqësohet në garat e UEFA-s.
Kësisoj, Kosovën në garat evropiane sivjet do ta përfaqësojnë Prishtina dhe Drita, por në javët e ardhshme do të dihet se cila prej tyre do të luajë në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve, e cila në parakualifikimet për Europa League, pas përmbylljes së garës për titullin e kampionit në Vala Superligë.
Në fund, menaxheri i licencimeve në FFK, Bajram Shala, ka bërë të ditur se krahas këtyre dy klubeve, sot, do të plotësohet edhe forma pararegjistruese në UEFA edhe për klubin Gjilani në kategorinë e juniorëve, që është kampion i Kosovës në Superligën U19, por ende nuk dihet nëse kjo skuadër do të arrijë të marrë pjesë në Youth Champions League, duke pasur parasysh formën se si marrin pjesë klubet në këtë garë. Ai gjithashtu ka thënë se në muajt e ardhshëm UEFA do të bëjë auditimin rreth këtij procesi të licencimit, ashtu siç ka qenë edhe vitin e kaluar dhe që ka rezultuar tejet i suksesshëm, gjë e cila edhe ka bërë që FFK-ja ta fitojë besimin e UEFA-s në lidhje me procesin e pavarur të licencimit.