25 nëntor, 2021 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e tjera të javës së 15-të në BKT Superligë. Gjilani ka shënuar fitore në derbin e madh ndaj Dritës, me rezultat të ngushtë, 1:0. Golin e vetëm të kësaj përballje e realizoi Albert Dabiqaj, në minutën e 48-të. Kjo fitore ia mundëson Gjilanit të kryesojë i vetëm në renditje, me 28 pikë, duke u shkëputur nga rivali lokal 3 pikë. Pas kësaj jave në pozitën e dytë ngjitet Ballkani, me 27 pikë, pasi si vendas shënoi fitore në duel me Malishevën, me shifrat 2:0. Golat për portokallezinjtë i shënuan Albion Rrahmani (76′) dhe Ermal Krasniqi (90′-pen). E serinë e rezultateve pozitive e vazhdoi Llapi, që shënoi fitore si mysafir ndaj Drenicës, me rezultat 5:3. Në këtë takim shkëlqeu Kreshnik Uka që realizoi tre gola, por forma e tij e mirë nuk i mjaftoi Drenicës për t’iu shmangur humbjes. Për fitoren e llapjanëve u përkujdesen Prençi, Rivera, Veliu, Firmino dhe Idrizi. Pas kësaj fitoreje Llapi e përforcon pozitën e katërt me 24 pikë.