Prishtinë, 3 dhjetor, 2022
E nderuar Familje Kajtazi!
Të nderuar drejtues dhe staf i FC Trepça’89!

Me pikëllim të madh morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të më të dashurit tuaj, futbollistit të FC Trepça’89 dhe anëtarit të ekipeve të grupmoshave të Kombëtares së Kosovës, Erion Kajtazi.

Ikja e tij e hershme nga kjo botë preku zemrat e gjithsecilit prej nesh si komunitet i futbollit, por edhe opinionin e Kosovës në përgjithësi. Vdekja e parakohshme i ndali në gjysmë ëndrrat e tij rinore dhe futbollistike.

Erioni ndërroi jetë në fushën e gjelbër, aty ku filloi ta jetësonte ëndrrën e tij për t’u bërë një futbollist i madh, me të cilin do të krenohej jo vetëm familja, por edhe i gjithë kombi.

Erioni ishte talent i jashtëzakonshëm, por sot u shua për të udhëtuar drejt parajsës, e për jetuar përgjithmonë i freskët në kujtimet e familjes, bashkëlojtarëve dhe tërë komunitetit të futbollit.

Në këtë ditë të rëndë pikëllimi, më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Sot, i gjithë komuniteti i futbollit, e nderon dhe e kujton me lot në sy djalin tuaj shembullor dhe ju qëndron afër për ta përballur më lehtë këtë humbje të madhe!

I përjetshëm kujtimi për Erionin!

Me pikëllim të thellë,
Agim Ademi, president i FFK-së