7 shkurt, 2024 – Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur një projekt të rëndësishëm për zhvillimin e talenteve të vajzave në futboll, duke filluar me tri gjenerata të reja të futbollisteve të lindura në vitet 2010, 2011 dhe 2012. Projekti i quajtur “Talent Development Scheme (TDS)”, i cili mbështetet nga FIFA synon të identifikojë dhe të përgatisë talentet që në moshë të re për t’i integruar më pas në ekipet kombëtare U15 dhe U17.
Përgjegjësja e këtij projekti, Sanije Krasniqi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me FIFA-n dhe qëllimin e projektit për t’u dhënë mundësi të gjitha vajzave të talentuara për të zhvilluar potencialin e tyre në futboll.
Duke shpjeguar motivet për përqendrimin tek vajzat e këtyre gjeneratave, Krasniqi tha se këto gjenerata janë në mungesë të aktiviteteve të rregullta për të përparuar, pasi aktualisht mungojnë ndeshjet e fundjavës dhe aktivitetet janë të kufizuara në disa stërvitje gjatë javës.
Projekti do të mundësojë aktivitete stërvitore çdo javë në Kampin Nacional në Hajvali dhe do të përfshijë edhe një qëndrim në kamp në fund të muajit, ku futbollistet do të kenë stërvitje shtesë dhe do të marrin ligjërata për një stil jetese të shëndetshëm.
Në këtë fazë fillestare të projektit janë përfshirë 150 vajza, me synimin për të identifikuar dhe përzgjedhur nga 23 talentet më të shquara në secilën gjeneratë për të qenë të gatshme për ta përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare në të ardhmen.
Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon të investojë në zhvillimin e futbollit të vajzave dhe projektet si TDS shërbejnë si bazë për të siguruar një të ardhme të ndritshme.