22 mars, 2024 – Kombëtarja e Kosovës e ka nisur mbarë vitin 2024 dhe epokën e re nën drejtimin e përzgjedhësit të ri, Franco Foda. Në miqësoren e zhvilluar në Yerevan, Dardanët kanë shënuar fitore, me rezultat 1:0.

Kosova e dominoi pjesën e parë dhe arriti që të kalojë në epërsi në minutën e 25-të, kur Milot Rashica e dërgoi topin në rrjetë nga afërsia. Paraprakisht Edon Zhegrova depërtoi nga krahu i djathtë, teksa goditja e tij qëlloi traversën dhe përfundoi te Rashica, i cili me qetësinë e duhur shënoi gol, që në fund doli të ishte i vetmi i kësaj ndeshjeje.

Pjesa e dytë nisi sërish mirë për Dardanët, që krijuan dy raste të pastra shënimi, por Muriqi (53′) me kokë dhe Rashica (66′) nuk arritën ta dërgojnë topin në rrjetë. Më pas loja kaloi në shenjë të presionit të vendasve, të cilët synonin golin e barazimit. Megjithatë, futbollistët dardanë nuk lejuan shumë hapësira në mbrojtje dhe arritën ta menaxhojnë epërsinë e krijuar deri në fund të ndeshjes, duke realizuar fitore të merituar.

Miqësoren e dytë Kosova e zhvillon më 26 mars, në Budapest kundër Hungarisë.