13 maj, 2024 – Përzgjedhësi i Kombëtares “A”, Franco Foda, bashkë me presidentin Agim Ademi, kanë takuar sot trajnerët e grupmoshave të ekipeve Kombëtare, duke filluar nga ekipi U-15 deri tek ekipi U-21.

Në këtë takim, përzgjedhësi Foda dhe presidenti Ademi kanë folur para trajnerëve për vizionin e Federatës së Futbollit të Kosovës për zhvillimin e ekipeve kombëtare si dhe rolin e Federatës në këtë rrugëtim.

Më pas përzgjedhësi Foda ka njoftuar trajnerët me mënyrën e tij të punës me ekipin “A”, duke dhënë detaje të formës së punës që mund të implementohen edhe nga ekipet e grupmoshave.

Në të njëjtën kohë, Foda ka kërkuar nga trajnerët e grupmoshave që të bëhet identifikimi sa më i hershëm i futbollistëve me potencial të lartë dhe të punohet sa më shumë me ta, në mënyrë që të jenë sa më të gatshëm për të qenë pjesë e Kombëtares “A”.

Ndërsa presidenti Ademi ka premtuar përkrahjen maksimale nga ana e Federatës që shtabet teknike të të gjitha grupmoshave, të kenë mundësi për të implementuar idetë e tyre për zhvillimin e ekipeve kombëtare.