6 prill, 2022 – Presidenti Agim Ademi është rizgjedhur në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës për një mandat të ri katërvjeçar, me 42 vota për dhe një abstenim. Në punimet e Kuvendit, që u zhvillua sot në selinë e FFK-së, morën pjesë 43 delegatë, derisa me prezencën e tyre këtë aktivitet e nderuan anëtari i KE të UEFA-s dhe njëherësh presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përfaqësuesit e FIFA-s, Alessandro Gramaglia e Sofia Malizia, përfaqësuesi i UEFA-s, Denis Bastari, presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamed Sejdini, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi si dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Sportit.

Nga një fjalë rasti para delegatëve e kanë mbajtur anëtari i KE të UEFA-s dhe njëherësh presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përfaqësuesi i FIFA-s, Alessandro Gramaglia dhe presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi. Ata përgëzuan punën e bërë nga FFK në katër vitet e kaluara dhe uruan që progresi i futbollit kosovar të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Duka i përcolli FFK-së përshëndetjet e presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin, teksa theksoi se kreu i futbollit evropian shumë shpejt do ta realizojë një vizitë në Kosovë. Ai shprehu edhe mirëjohjen për të gjithë ata që japin kontributin e tyre për zhvillimin e futbollit të Kosovës dhe vuri në pah se vitet e fundit ka pasur një zhvillim të hovshëm të futbollit në Kosovë.

“Projektet kanë qenë në të mëdha, projektet e zhvillimit në infrastrukturë, ristrukturimit apo riorganizimi i Federatës së Kosovës, e cila padyshim është një organizatë e cila mund të mirëmenaxhojë dhe të organizojë jo vetëm garat, por gjithçka dhe me një vizion të qartë për futbollin në Kosovë. Kemi parë zhvillime infrastrukture konkrete nëpërmjet programit HatTrick, që FFK nën drejtimin e presidentit Agim Ademi ka ditur ta shfrytëzojë më së miri, duke ndërtuar qendrën stërvitore në Hajvali, përmirësimin e disa fushave stërvitore për klube, përmirësimi i zyrave ku ne jemi sot dhe të gjithë janë të befasuar për infrastrukturën fantastike të FFK-së. Kjo tregon se jemi në rrugën e mbarë, suksese të mëtejshme na presin dhe loja jonë është e sigurt”, tha Duka.

Ai ka pasur një mesazh edhe për ata delegatë që nuk ishin pjesë e Kuvendit. “Të gjithë ne që jemi në këtë sallë apo edhe të tjerët jashtë kësaj salle të sillemi me lojën apo me njëri-tjetrin me sportivitet. Çdo lloj kritike apo vërejtje, çdo lloj alternative për drejtimin e FFK-së është frytdhënëse, është e mirë. Por, asnjë lloj baltosjeje nuk i sjell asnjë të mirë lojës tonë të dashur. Unë i ftoj të gjithë që ta bashkojnë akoma më shumë futbollin kosovar, sepse në fund të fundit objektivi ynë i vetëm është loja, është futbolli”, tha tutje Duka.

Përfaqësuesi i FIFA-s, Alessandro Gramaglia ka përcjellë përshëndetjet nga presidenti Gianni Infantino dhe sekretarja e përgjithshme, Fatma Samura. “FIFA ishte jashtëzakonisht e lumtur që mirëpriti edhe Kosovën, të përfaqësuar nga presidenti Ademi, në kongresin e FIFA-s në Doha. “Ne kemi kënaqësinë që shohim zhvillime në futbollin e Kosovës dhe që FFK ka të harmonizuara secilën rregullore sipas FIFA-s dhe UEFA-s. Kemi pasur kënaqësinë edhe për faktin që Kosova ka zbatuar projektin e VAR. Dua të shfrytëzoj mundësinë të bëj thirrje për unitet në futboll dhe për qeverisje të mirë në struktura të futbollit”, ka thënë ndër të tjera Gramaglia.

Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi tha se ndodhet në këtë kuvend për t’i monitoruar punimet e tij, teksa theksoi se KOK-ut do ta vazhdojë bashkëpunimin me FFK-në për zhvillimin e mëtejmë të futbollit.

E presidenti Agim Ademi pasi mori besimin e delegatëve të Kuvendit të FFK-së për mandatin e ri, theksoi se ai dhe KE i FFK-së do të punojnë bashkërisht me të gjithë për ta çuar përpara futbollin e Kosovës.

“Faleminderit për besimin e dhënë. Këtë mandat të ri nuk e marrë si privilegj, por si obligim të madh. E këtë obligim nuk mund ta kryej pa ju, prandaj ju dua afër vetes. Këtë përgjegjësi dhe ndihmën që ma jepni, unë e marr me shumë seriozitet edhe për ata që kanë mendime ndryshe. Besimin do t’ua kthejë të gjithëve me punën time, pasi jam njeri i futbollit dhe jam i lumtur që jam në familjen time apo mos të them në zanatin tim. Kur them në zanatin tim, them pasi jam një jetë në futboll si futbollist, kryetar klubi dhe prijës i federatës. I di hallet e futbollistit, klubit dhe punët e federatës. Di të jem punëtor dhe i mirë me organizatat. Unë jam vullnetar në futboll dhe do të vazhdoj të jem i tillë”, ka theksuar presidenti Ademi, i cili njëherësh falënderoi UEFA-n, FIFA-n dhe të gjitha institucionet për raportet e shkëlqyeshme dhe përkrahje në mandatin e tij të parë.

Presidenti Ademi paraprakisht para delegatëve i ka shpalosur të arriturat dhe projektet e të ardhmes, të cilat synon t’i përmbushë gjatë mandatit të ri katërvjeçar.

Krahas zgjedhjes së presidentit, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi raportin financiar dhe të auditimit për vitin 2021 dhe planin financiar për vitin 2022, si dhe autorizoi Zyrën Ligjore të FFK-së për fillimin e ndryshimit të Statutit të FFK-së konform kërkesave të UEFA-s e FIFA-s.