6 korrik, 2018 – Kuvendi i Jashtëzakonshëm Zgjedhor për president të ri të FFK-së nisi me një minutë heshtje në nderim të legjendës dhe ish-presidentit Fadil Vokrri, derisa u mbyll me një minutë duartrokitje frenetike nga të gjithë të pranishmit për veprën e tij dhe për gjithçka që ai bëri për futbollin e Kosovës.
Në praninë e 58 delegatëve të Kuvendit të FFK-së, KE të FFK-së, zyrtarëve të lartë të UEFA-s, Servet Yardimci, Denis Bastari e Thiery Favre dhe atij të FIFA-s, Bjorn Vassallo, ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, sekretarit të përgjithshëm të Federatës turke të Futbollit, Kadir Kardash, delegacionit të FSHF-së, Lutfi Nuri, Ilir Shulku e Edvin Libohova, nënkryetarit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muhamet Sejdini, presidentit të KOK-ut, Besim Hasani dhe mediave të shumta, delegatët e këtij Kuvendi me 58 vota unanime e zgjodhën z. Agim Ademi për mandat 4-vjeçar për president të ri të FFK-së.
Kuvendin fillimisht e ka përshëndetur Servet Yardimci, i cili në emër të presidentit të UEFA-s, Aleksandër Çeferin tha se e kemi të vështirë pa Fadil Vokrrin, por kur jemi në Kosovë ndjehem gjithsesi të lumtur. Po ashtu dua të përcjellë përshëndetjet edhe të 80 milionë turqve të cilët e kujtojnë me mall e pietet legjendën e futbollit të Kosovës. Në emër të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, punimet e Kuvendit të Jashtëzakonshëm i përshëndeti Bjorn Vassallo, i cili theksoi se ndjejmë keqardhje për largimin e hershëm të presidentit Vokrri, të cilin do ta kujtojmë gjithnjë si një njeri të lidhur ngushtë për futbollin, por që jeta patjetër duhet të vazhdohet tutje. Ai shprehu besimin e plotë se pasardhësi i Vokrrit me mbështetjen e Komitetit Ekzekutiv dhe të gjithë njerëzve të përfshirë në futboll do të arrijë t’i çojë përpara proceset. Ndërkohë, kuvendarët i përshëndetën edhe ministri i sportit Kujtim Gashi, i cili tha se ne mbetëm pa njeriun e madh, legjendën e futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili i duhej jo vetëm sportit por edhe të tjerëve, por u shpreh i bindur se pasardhësi i tij do të jetë në gjendje që t’i shtyjë përpara projektet e nisura. Jam këtu për të treguar se do të jem një mik dhe partner i mirë i Federatës dhe së bashku do të punojmë për të mirën e futbollit. Në emër të FSHF-së dhe presidentit Duka të pranishmit i përshëndeti Edvin Libohova, sikurse edhe presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, të cilët po ashtu thanë se ikja e hershme e presidentit Vokrri ka lënë një boshllëk të madh në futbollin e Kosovës, por njëherësh u shprehën të bindur se nën drejtimin e z. Ademi do të vazhdohet me përkushtim në zhvillimin dhe përparimin e futbollit të Kosovës.
Ndërkaq, në fjalën e tij pas besimit të dhënë nga delegatët me unanimitet të plotë, presidenti i ri i FFK-së, Agim Ademi, duke i falënderuar të gjithë të pranishmit për mbështetje tha se jam i vetëdijshëm që po e pasoj një figurë të jashtëzakonshme, një legjendë të futbollit mbarëkombëtar dhe nuk do ta kem lehtë, por duke e parë përkrahjen tuaj jam i bindur se bashkë me KE të FFK-së dhe juve së bashku do ta vazhdojmë rrugën e nisur. Zotohem se do të punoj pandalur dhe bashkërisht me ju dhe do të jem afër jush në shërbim të zhvillimit të futbollit. Shpresoj shumë se së bashku do t’ia dalim dhe futbollin e Kosovës do ta çojmë atje ku e ka vendin. Do t’i përmbyllë të gjitha projektet në të cilat kam qenë pjesëmarrës dhe do t’i nisim edhe shumë projekte tjera në partneritet me UEFA-n e FIFA-n, u shpreh tutje presidenti i ri i FFK-së.