2010-10-07
Sot në Neuchatel të Zvicrës është mbajtur konferenca me gazetarët të cilët po e ndjekin udhëtimin e Përfaqësueses së Kosovës për ndeshjen kundër Xamaxit, e cila do të zhvillohet më 9 tetor në orën 19.30. Fillimisht të pranishmit i ka përshëndetur kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i cili foli për rëndësinë e takimit të shtunës.
“Fillimisht falënderoi zyrtarët e Neuchatel Xamax për mundësinë që na kanë dhënë të luhet kjo ndeshje. Ky takim është pjesë e projektit të përzgjedhësit që ne si Komitet Ekzekutiv i FFK-së e kemi mbështetur dhe realizimi i ndeshjes ka një domethënie të rëndësishme për ne, aq më tepër që ka domethënien e vet edhe fakti se presidenti i FIFA-së, Sepp Blatter është kryetar nderi i Xamaxit. Sa i përket mos ftesës së lojtarëve vendor është zgjedhje dhe kompetencë e përzgjedhësit, por duhet të nisemi edhe nga fqinjët që shumicën e lojtarëve i kanë që luajnë jashtë”, ka thënë Vokrri. Ndërkaq përzgjedhësi Albert Bunajki ka sqaruar vështirësitë rreth përzgjedhjes dhe lejeve nga klubet për të grumbulluar lojtarët që ai mëton të shikojë përformacën e tyre për një të ardhme. “Ka qenë e pamundshme të realizohet lista më herët dhe jemi detyruar që vetëm deri në ditën e fundit të kuptojmë për lojtarët që do të vijnë të luajnë. Kam ftuar 18 lojtarë bazë dhe dy talent që do të jenë vetëm pjesë e ushtrimeve Besnik Salihi (Young Boys), Ramadan Morina (Zurich). Ka pasur edhe të lënduar që kanë anuluar ardhjen si portieri i Kalmarit, Etrit Berisha dhe mesfushori i Helsingborgut, Ardian Gashi. Kjo listë nuk është përfekte, por më shumë nuk kam mundur të bëjë sa i përket ardhjes së lojtarëve. Në disa klube kam pasur mirëkuptim. E pranoj se ka lojtar që unë edhe nuk i njoh, por këta janë nga ligat e mira. Sa i përket kundërshtarit Bunjaki theksoi se Xamaxin e kam parë në dy ndeshje një e kam vëzhguar vet. Xamax është ekip më i mirë se Halmstadi. Mendoj se është ekip që do të na testojë në durimin, do të mundohet të bëjë një lojë të mirë me pasim. Do të bëjmë tri stërvitje dhe gjashtë teori me lojtarët e grumbulluar”, ka theksuar Bunjaki. Meqenëse ndeshja do të zhvillohet në bar artificial përzgjedhësi Bunjaki ka vënë në pah se bari aritificial pritet të jetë problem për disa lojtarë tanë. “Kur është loja e presingut në pyetje do të ndikojë ky fakt. Lojtarët që nuk kanë luajtur do të vërejnë dallimin. Në këso fusha, negative është se humb loja në thellësi”, ka shtuar Bunjaki.
Emërorja e futbollistëve
Portierët: Kushtrim Mushica (Renova), Agim Dushica (Gjermani);
Mbrojtës: Liridon Leci (Kastrioti), Avni Pepa (Start IK), Alban Dragusha (Skenderbeu), Liridon Kukaj (Vllaznia), Shqipon Skeraj (pa klub), Behar Maliqi (Prishtina);
Mesfushorë: Anel Rashkaj (Halmstad), Alban Ramaj (Erzgebirge AUE), Enis Alushi (Paderborn), Ymer Xhaferi (Jaro), Kristian Nushi (St Gallen), Shqipon Bektashi (Freiburg);
Sulmues: Valdet Rama (Hannover), Drilon Shala (Lahti), Kujtim Balaj (Halmstad), Liridon Hasani (Gjilani);
Rezervë: Besnik Salihi (Young Boys), Ramadan Morina (Zurich)
Zëdhënësi i FFK-së
Fazli Berisha, Neuchatel (Zvicër)