29 maj, 2018 – Në pak orët që kanë mbetur deri sa të nis ndeshja miqësore, e pagëzuar si vëllazërore, ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, Kombëtaren “A” e ka vizituar ambasadorja e Kosovës në Zvicër znj. Nazane Breca. Ambasadorja Breca takoi drejtuesit e FFK-së në krye me presidentin Fadil Vokrri dhe shtabin teknik dhe futbollistët. Në këtë vizitë ambasadorja Breca duke i uruar të gjithë për këtë ndeshje, ndër të tjera theksoi se sportistët e me këtë rast futbollistët janë ambasadorët më të denjë dhe që më së miri e prezantojnë dhe afirmojnë shtetin e ri të Kosovës. E në anën tjetër presidenti i FFK-së Fadil Vokrri, ka falënderuar ambasadoren Breca për kohën që ka ndarë për ta vizituar dhe mbështetur Kombëtaren e Kosovës. Edhe futbollistët me kapitenin Samir Ujkani duke falënderuar ambasadoren u zotuan që gjithmonë dhe kudo do të angazhohen për një paraqitje sa më të mirë të Kosovës.