5 shkurt, 2017 – Sot u përmbyllë grumbullimi 3 ditor i Përfaqësueses së Kosovës në konkurrencën e femrave, me mbajtjen e seancës së fundit stërvitore sipas programit të Përzgjedhëses Afërditë Fazlija. Ky ishte grumbullimi i parë para ndeshjeve kualifikuese për Kampionatin botëror 2019, i cili mbahet në Francë. Ndërsa Kosova është grupin e 2-të bashkë me Shqipërinë, Greqinë dhe Maltën e ndeshjet e këtij grupi zhvillohen në Shqipëri prej 6 deri më 11 prill 2017. Ky ishte një grumbullim i mirëseardhur ku vashat ndoqën pjesën teorike në hotel “Emerald”, ndërsa pjesën praktike me ushtrime në fushën me bari sintetikë në Drenas. Vlen të theksohet se futbollistja Liridonë Syla sot e kishte ditëlindjen e saj, ndërsa shtabi teknik i përfaqësueses dhe bashkëlojtaret ishin përkujdesur që të blejnë një tortë për të festuar në fushën e gjelbër. Në përmbyllje të kampit treditorë ja se çka na deklaruan përzgjedhësja Afërditë Fazlija dhe disa nga futbollistet.
Afërditë Fazlija, përzgjedhëse
Sipas plan-programit patëm një tubim me futbollistet e mundshme për përfaqësuese. Në këtë drejtim ne bëmë matjet dhe testet fizike bashkë me kontrollin mjekësor të të gjitha futbollisteve. Për tri ditë me radhë mbajtëm pjesën teorike dhe jo vetëm si pjesë të lojës por gjatë bashkëbisedimit tonë sqaruam sa është e rëndësishme për secilën të jetë pjesë e ekipit Përfaqësueses të shtetit ndaj edhe sjellja dhe qëndrimi duhet të jenë në nivelin e këtyre përgjegjësive. Pastaj mundësitë praktike na i mundësoi fusha me bari sintetikë në Drenas, për të konsoliduar dhe përzgjedhë individet nëpër reparte të lojës sikur edhe sprovat në lojë. Jam e kënaqur me përkushtimin dhe angazhimin e futbollisteve, të cilat kanë kuptuar rëndësinë e të qenit pjesë e Përfaqësueses dhe gjatë tri ditëve kanë punuar me vullnet dhe zell të madh.
Arta Rama, futbolliste
Ishte një kënaqësi me u kthye me luajt për Kosovën dhe me punuar me super trajnerë. Këto tri ditë kemi punuar shumë dhe besojë se kemi arritur një përvojë të mirë. Ne duhet të vazhdojmë kështu me përkushtim dhe të ia arrijmë qëllimit.
Antigonë Miftari, futbolliste
Pas pranimit në UEFA dhe FIFA edhe neve po na jepet raste që të punojmë për të arritur në kampionat botëror. Unë falënderojë përzgjedhësen për ftesën për mua dhe bashkëlojtaret e mia dhe kjo ishte një kënaqësi e veçantë të jemi pjesë e grumbullimit të përfaqësueses së Kosovës.
Florentinë Kolgeci, futbolliste
Për mua ftesa që mora për këtë tubim të përfaqësueses së Kosovës, ishte një gëzim dhe kënaqësi e madhe. Jemi përgatitë mjaft mirë dhe punën që kanë bërë trajnerët me neve unë besojë se suksesi nuk do të na mungojë.
Kaltrinë Biçkaj, futbolliste
Jam e lumtur që përzgjedhësja ka besuar në mua dhe me ka bërë ftesë që të jem pjesë e përfaqësueses së Kosovës, sepse kjo të bën krenare të mbrosh ngjyrat e shtetit të Kosovës që është një privilegj i madh. Jam shumë e kënaqur me punën që kemi bërë për tri ditë dhe unë besojë shumë se do të kemi suksese.