24 mars, 2022 – Federata e Futbollit e Kosovës e ka prezantuar sot përzgjedhësen e re të Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e femrave, suedezen Karin Anneli Andersen si dhe stafin e saj përcjellës. E pranishme në këtë konferencë ishte edhe ambasadorja suedeze në Kosovës, Karin Hernmarck Ahliny, presidenti Agim Ademi, anëtarja e KE-së, Vjollca Krasniqi dhe drejtori teknik, Albert Bunjaki. Përzgjedhësja Andersen theksoi se është e nderuar që iu ka besuar drejtimi i Kombëtares së Kosovës dhe premtoi se do të punojë me përkushtim së bashku me kolegët e saj, Nisse Jansson dhe Katarina Olsson. “Shpresoj se do të kontribuojmë me përvojën tonë te progresi i futbollit të Kosovës. Është një sfidë e madhe, por është nder për mua të jem në gjendje të kontribuojë në zhvillimin e futbollit të femrave në Kosovë. Do të mundohem të kemi një start të mirë, por nuk do të jetë lehtë për shkak se përballë kemi Norvegjinë dhe Belgjikën. I kam shikuar lojtaret, ndeshjet dhe kundërshtarët. Ne do të punojmë dhe besoj se do të jemi gati për t’i përmirësuar gjërat”, ka thënë ndër të tjera Andersen.

Kryetarja e Komisionit për futbollin e femrave dhe anëtarja e KE-së, Vjollca Krasniqi, ka thënë se në vazhdën e shumë aktiviteve, FFK është duke i dhënë prioritet edhe zhvillimit të futbollit të femrave dhe masovizimit të tij. Ajo ka thënë se kjo marrëveshje me trajneret suedeze ka ardhur si rrjedhojë e bashkëpunimit të ngushtë që presidenti Ademi ka me presidentin e Federatës së Futbollit të Suedisë, Karl-Erik Larsson, që njëherësh është edhe zv/president i UEFA-s dhe kryetar i Komisionit HatTrick, ku është edhe presidenti Ademi.
“Ajo që duam në të ardhmen si FFK është të krijojmë një zinxhir strukturimi të futbollit të vajzave, që nga futbolli bazik deri në ekipet seniore. Ky bashkëpunim shpresoj të jetë i frytshëm dhe të fitojmë shumë nga përvoja e trajnereve suedez”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, këtij bashkëpunimi iu ka gëzuar edhe ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny.

“Suedia është mike e Kosovës dhe ne kemi punuar së bashku në fusha të ndryshme. Jam shumë e kënaqur që sot jam e pranishme dhe që po e konkretizojmë këtë bashkëpunim dhe ju përgëzoj për zgjedhjen që keni bërë. Për Suedinë barazia gjinore është ndër priortetet më të larta dhe duhet të jetë pjesë e secilës fushë të jetës. Për këtë arsye ne ndjekim një politikë feministe si vend dhe prandaj ky prezantim është shumë i rëndësishëm, pasi bëhet fjalë për kënaqësinë e lojës së futbollit dhe që t’u mundësohet vajzave dhe grave që të shkëlqejnë në këtë sport. Dua të përgëzoj FFK-në që ia ka dalë të bëjë këtë zgjedhje të shkëlqyeshme”, ka thënë ambasadorja suedeze.

Ndërkaq, asistenti Nisse Jansson ka theksuar se ka qenë në Kosovë para shumë vitesh, porse tani ka ndryshuar shumëçka. “Kam qenë këtu në ndeshjen miqësoren Kosovë – Shqipëri, kur ka qenë fillimi i shtetit të Kosovës. Tani gjithçka ka ndryshar për të mirë dhe jam i lumtur që sot këtu është edhe presidenti Ademi sepse ai po dëshiron të ndryshojë gjërat dhe futbolli të ecë përpara. Mendoj se ky staf i zgjedhur do të bëjnë punë të mirë për futbollin e Kosovës”, është shprehur Jansson. Pas konferencës për media, presidenti Ademi ka zhvilluar një takim të përbashkët me ambasadoren Ahliny dhe me stafin e trajnerëve suedezë.