1 maj, 2022 – Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Arbër Zeneli, po rikthehet në formën e tij më të mirë. Ai, të dielën, shënoi golin e parë të ndeshjes kundër Lorient, në minutën e 17-të, të cilën në fund skuadra e tij, Reims e fitoi me rezultat 2:1. Ky takim i takoi javës së 35-të në kampionatin francez, Ligue 1, derisa kjo fitore e mban skuadrën e Zenelit e Valon Berishës në pozitën e 12-të, me 43 pikë. Për Zenelin ky ishte goli i parë në këtë edicion në Ligue 1. Kujtojmë se ka rreth dy muaj që Zeneli iu kthye fushës së gjelbër pas lëndimit të kaluar, që e pati lënë jashtë për afro nëntë muaj. Zeneli është njëri ndër lojtarët më të mirë të Kosovës para lëndimit, teksa ishte zgjedhur edhe si futbollisti më i mirë i vitit 2018 nga FFK. Në ndeshjen e sotme nuk u paraqit Valon Berisha, derisa në Ligue 1 këtë fundjavë luajtën edhe Edon Zhegrova dhe Elbasan Rashani, të cilët po ashtu patën paraqitje të mirë.