14 dhjetor, 2020 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së 18-të në Superligë. Skuadra kampione në fuqi dhe lidere e renditjes, Drita, ka barazuar në shtëpi në duel me skuadrën e Arbërisë, me rezultat 1:1, duke humbur mundësinë që ta çojë në katër pikë epërsinë ndaj Ballkanit. Kastriot Rexha i dha epërsinë Dritës në minutën e 36-të nga penalltia, derisa një pikë Arbërisë ia dhuroi Hamdi Namani, me autogolin e shënuar me kokë në minutën e 76-të. Ndërkohë, edhe ndeshja tjetër që u zhvillua në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë ndërmjet Trepçës’89 dhe Drenicës u mbyll pa fitues, por këtu munguan edhe golat. Të dyja skuadrat krijuan disa mundësi shënimi, por asnjëra palë nuk arriti ta çojë topin në rrjetën e portës kundërshtare. Pas javës së 18-të Drita kryeson me 40 pikë, e ndjekur nga Ballkani me dy pikë më pak. Në fundjavë do të zhvillohen dy ndeshjet e mbetura Prishtina – Drita dhe Gjilani – Ballkani, me çka mbyllen garat e stinorit vjeshtor në Superligë.