18 maj, 2018 – Federata e Futbollit e Kosovës në kuadër të programit të UEFA-s “Grassroots”, sot ka vazhduar me projektin “We are all Equal – Të gjithë jemi të barabartë” me fëmijët me nevoja të veçanta. Ky aktivitet u mbajt në stadiumin e KF ‘Ramiz Sadiku’ në Prishtinë, ku fëmijët nga Qendra Burimore për mësim dhe këshillim “Përparimi” për gjatë dy orëve u argëtuan me lojën e futbollit, por edhe lojëra tjera të ndryshme. Menaxherja e FFK-së për “Grassroots”, Sanije Krasniqi, ka thënë se edhe në të ardhmen do të vazhdohet me aktivitete të tilla, pasi qëllimi i projektit është që të gjithë fëmijët të ndjehen të barabartë dhe të kenë mundësinë e argëtimit me lojën e futbollit, por njëherësh të bëhet edhe socializimi i tyre. Aktivitetin e sotëm nga afër e ndoqën edhe ambasadori dhe ligjëruesi i UEFA-s dhe FIFA-s, Horst Kriete, si dhe përzgjedhësja e Kombëtares së Kosovës, Afërditë Fazlija. Si zakonisht edhe kësaj radhe në fund të këtij aktiviteti për të gjithë pjesëmarrësit u shtrua drekë e përbashkët.