11 nëntor, 2017 – Edhe në ditën e tretë kanë vazhduar përgatitjet e Kombëtares A të Kosovës para ndeshjes miqësore kundër Letonisë, në një atmosferë pune e harmonie që japin shpresën për një rezultat të mirë. Fusha e mirë në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, po ofron kushte të mira për stërvitje e ku nuk po mungojnë shikuesit dhe mediet që po ndjekin stërvitjet nga afër. Sikur në ditët e kaluara edhe sot stërvitjet kishin theks të veçantë lojën sulmuese dhe presingun që duhet bërë ndaj kundërshtarit duke vënë në skema disa mënyra sulmi nga krahët. Disa nga futbollistët pas stërvitjeve deklaruan:
Bledar Hajdini, portieri
Po punojmë këto ditë mjaft mirë dhe nëse me jepet rasti të jem në portë e ndjejë veten plotësisht të përgatitur që ta japë kontributin tim për të arritur sukses në këtë ndeshje.
Hekuran Kryeziu, futbollist
Kemi një atmosferë të jashtëzakonshme dhe harmoni të mirë brenda grupit, ndaj kjo na bën të kemi besim për një fitore në këtë miqësore se besojë se të gjithë kemi pritur gjatë këtë moment.