7 qershor, 2017 – Numri i madh i mediave në stadiumin “Agron Rama” në Kastriot tregon dhe dëshmon më së miri interesimin madh për seancat stërvitore të Kombëtares së Kosovës. Në seancën e dytë stërvitore, përzgjedhësi Albert Bunjaku ka shtuar intensitetin e stërvitjeve si dhe ka aplikuar sistemet e mundshme për ndeshjen kundër Turqisë. Atmosfera në Kombëtare është jashtëzakonisht e mirë. Seancën stërvitore e ndoqi edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, z. Eroll Salihu. Pas stërvitjeve si zakonisht ishte interesim i madh i mediave për të marrë opinionet e shumë futbollistëve që disa prej tyre po i sjellim edhe ne këtu.
Albert Bunjaku, përzgjedhës
Po punojmë me një intensitet më të lartë. Djemtë po punojnë me përkushtim të madh. E zgjodhëm stadiumin në Kastriot për shkak se fusha është mjaft e mirë si dhe për shkak të transportit, pasi është më afër për të gjithë, së këndejmi edhe për media.
Samir Ujkani, kapiten
Gjendja ime është e mirë dhe shpresoj të mos kem probleme. Të gjithë jemi duke u angazhuar që kundër Turqisë të kemi paraqitje të mirë e pse jo edhe rezultat të mirë.
Atdhe Nuhiu, futbollist
Po angazhohemi mjaft e dimë se na pret një lojë e fortë. Unë do të japë maksimumin. Jam sulmues dhe dua të shënojë gola, por mbi të gjitha është e rëndësishme rezultati i ekipit dhe për këtë gjë luftojmë të gjithë.
Bernard Berisha, futbollist
Ngadalë ne po arrijmë përvojën e duhur. Në këtë ndeshje që mendoj se do të jetë mjaft e fortë dhe vështirë hyjmë për rezultat pozitiv.