13 korrik, 2020 – Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 30-të në Ipko Superligë. Ballkani ka shënuar fitore si mysafir në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, duke e mundur Feronikelin, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të këtij dueli e ka shënuar Blend Baftiu, në minutën e 33-të. Me këtë fitore skuadra portokalli nga Suhareka e vazhdon fuqishëm garën për titull, ngase ka vetëm 3 pikë më pak se Drita, skuadër me të cilën do të përballet pikërisht në javën e fundit të kampionatit. Befasinë e kësaj jave e ka përgatitur skuadra që tashmë është përshëndetur nga elita sa i përket edicionit të ardhshëm, Dukagjini, që e ka mundur Trepçën’89, me rezultat 3:2, duke ia vështirësuar dukshëm punët skuadrës mitrovicase në garën për mbijetesë. Golat për Dukagjinin i realizuan Arbër Shala (11’), Abu Kamra (73’) dhe Milot Avdyli (45+2’-autogol), ndërsa për mysafirët shënuan Muharrem Jashari (2’) dhe Milot Avdyli (13’). Ndërkohë, Llapi ka shënuar fitore në përballje me Flamurtarin, me rezultat 1:0, me golin e shënuar nga Kastriot Selmani, në minutën e 59-të. Këto tri pikë bëjnë që Llapi të jetë më i relaksuar në tri xhirot e fundit të kampionatit.
Rezultatet
Prishtina – Drita 1:1
Gjilani – Drenica 2:0
Llapi – Flamurtari 1:0
Feronikeli – Ballkani 0:1
Vushtrria – Ferizaj 1:3
Dukagjini – Trepça ’89 3:2