24 shkurt, 2024 – Kampioni dhe lideri aktual në Albi Mall Superligë, Ballkani ka bërë një tjetër hap fals në këtë fillim të stinorit pranveror. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja në kuadër të javës së 22-të ka barazuar 1:1 me Gjilanin, para tifozëve të vet në Suharekë. Para kësaj ndeshje, portokallezinjtë kanë pësuar humbje ndaj Dritës dhe kanë barazuar me Feronikelin. Si rrjedhojë ata tashmë rrezikojnë ta humbin pozitën e liderit pas kësaj jave.
Edvin Kuç kaloi Ballkanin në epërsi në minutën e 19-të, por një pikë gjilanasve ua siguroi Elvedin Heric, nga penalltia në minutën e 45-të.
Në ndeshjen tjetër të ditës së sotme, Malisheva shënoi fitore me përmbysje të rezultatit ndaj Feronikelit 74’, me shifrat 2:1. Robert Rrahmani kalojë skuadrën e Shefki Kuqit në epërsi në minutën e 60-të, por për fitoren e Malishevës u kujdes Drilon Hazrollaj, me dy gola të shënuar (78’, 89’). Me këtë fitore Malisheva shkon në kuotën e 38-të pikëve në vendin e katërt.