30 prill, 2023 – Kampioni në fuqi, Ballkani ka arritur t’i shmanget humbjes në minutat e fundit në duel me Dukagjinin në stadiumin “18 Qershori” në Klinë. Megjithatë, barazimi 1:1 në këtë takim i ka kushtuar portokallezinjve me humbjen e pozitës së liderit në Albi Mall Superligë pas javës së 31-të, pasi tashmë ngecin një pikë ndaj Dritës. Të parët shënuan vendasit, kur ukrainasi Vladyslav Khomutov shënoi pas asistimit të Ahmed Januzit, në minutën e 71-të. E golin e barazimit Ballkani e gjeti në kohën shtesë përmes sulmuesit Albin Berisha. Goli fillimisht nuk u pranua me pretekst të pozitës jashtëloje, pas rishikimit të situatës në VAR, goli doli të jetë i vlefshëm. As në dy ndeshjet e tjera të ditës së sotme nuk pati fitues. Por, për dallim nga ndeshja në Klinë, ballafaqimet në “Fadil Vokrri” dhe në “Riza Lushta”, Prishtina-Llapi dhe Trepça’89-Gjilani nuk prodhuan gola.