23 prill, 2023 – Java e 30-të në AlbiMall Superligën e Kosovës në futboll është përmbyllur me tri ndeshjet e zhvilluara sot. Ballkani e ka mundur Trepçën ‘89 në rezultat të thellë 7: 2, e cila është një nga fitoret më të thella të këtij sezoni.
Albin Berisha dhe Albion Rrahmani shënuan dygolësh, ndërsa Lumbardh Dellova, Edvin Kuc dhe Van Dave Harmon shënuan nga një gol secili. Ndërkaq për ’89-shin golat e ngushëllimit i realizuan Armend Gashi dhe Adu-Kwaw. Kjo fitore ia mundësoi Ballkanit të rikthehet në krye të tabelës me 61 pikë, një më shumë se Drita.
Në ndeshjen tjetër, Gjilani mundi Drenicën me rezultat minimal 1-0, ku Baton Zabërxha shënoi golin e fitores në minutën e 50-të. Me këtë fitore, Gjilani gjithnjë e më shumë po i afrohet sigurimit të pozitës së tretë, e cila ia siguron pjesëmarrjen në garat evropiane, pa harruar edhe mundësinë tjetër që ka kjo skuadër përmes kupës, pasi në finale do të luajë me Prishtinën.
Ndeshja e tretë e ditës së sotme e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti”, ndërmjet Llapit dhe Dukagjinit u mbyll me një barazim 1-1. Arbër Shala fillimisht në minutën e 25-të shënoi për Dukagjinin, ndërsa Festim Alidma riktheu baraspeshën në rezultat në minutën e 29-të.