20 prill, 2024 – Derbi i javës së 30-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll, ndërmjet dy skuadrave të kreut të renditjes, Ballkanit dhe Dritës, i cili u zhvillua, të shtunën, në Suharekë, është mbyllur pa fitues, me rezultat 2:2. Kjo ndeshje solli emocione të mëdha dhe lojë mjaft cilësore, ku u shënuan katër gola. Blerim Krasniqi e kaloi Dritën në epërsi, me golin e shënuar në minutën e 51-të, por portokallezinjtë e rikthyen baraspeshën në rezultat shumë shpejt me golin e Gentrit Halili, në minutën e 54-t. Drita kaloi sërish në epërsi në minutën e 89-të, me supergolin e Ensar Huruglicës. Kur mysafirët po shkonin drejt një fitoreje tejet të rëndësishme, në skenë doli Nazmi Gripshi, i cili në frymën e fundit të ndeshjes shënoi për rezultatin përfundimtar, 2:2. Pas këtij barazimi Ballkani ruajti pozitën e parë dhe tani ka 60 pikë, derisa Drita renditet e dyta me dy pikë më pak. Edhe dy ndeshjet e tjera përfunduan baras. Feronikeli 74 mori një pikë si mysafir ndaj Gjilanit, ndeshje e cila u mbyll 1:1. Senad Jaroviq shënoi për gjilanasit në minutën e 3-të, derisa një pikë skuadrës së drejtuar nga Shefki Kuqi ia siguroi Abdoul Razack Bachare Zoungrana, në minutën e 35-të. Ndërkohë, Dukagjini ka marrë vetëm një pikë në udhëtim, në Prizren, në duel me skuadrën e fundit në renditje, Lirinë, duke e mbyllur ndeshjen 0:0.