16 mars, 2024 – Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të xhiros së 26-të në AlbiMall Superligën e Kosovës në futboll. Ndeshja derbi ndërmjet Ballkanit dhe Llapit përfundoi pa fitues, ndërsa Malisheva shkëlqeu me një fitore të thellë ndaj Lirisë në Prizren.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Suharekë u karakterizua nga pritjet vendimtare të portierëve Enea Koliçi dhe Ilir Avdyli, si dhe nga ndërhyrja e rëndësishme e qendërmbrojtësit Ilir Krasniqi, krejt në fund të ndeshjes që e shpëtoi Llapin nga pësimi i golit.

Pavarësisht përpjekjeve të dy skuadrave, rezultati në fund ishte pa gola, duke i lënë ato në pozitat e njëjta në renditje. Ballkani vazhdon të udhëheqë me 52 pikë, me një më shumë se Llapi, që ndodhet në vendin e dytë.

Ndërkohë, Malisheva tregoi formën e saj të shkëlqyeshme duke shënuar një fitore të thellë 3:0 kundër Lirisë në stadiumin “Përparim Thaçi”. Drilon Hazrollaj shënoi golin e parë në minutën e 13-të, ndërsa Etnik Brruti dyfishoi epërsinë në minutën e 70-të. Agon Xhaka e finalizoi triumfin me golin e tretë.