26 shkurt, 2022 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së 22-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Lideri i renditjes, Ballkani ka shënuar fitore të rëndësishme dhe atë si mysafir ndaj njërit prej konkurrentëve në garën për titull, Dritës, me rezultat 1:0. Theophilus Solomon realizoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 70-të, pas asistimit të qendërmbrojtësit Bajram Jashanica. Pas kësaj fitoreje Ballkani arrin kuotën e 45 pikëve, derisa Drita mbetet në pozitën e tretë me 41 pikë. Në ndeshjen tjetër, Llapi ka triumfuar para tifozëve të vet në duel me Malishevën, me rezultat bindës, 3:0. Dy gola i realizoi Valmir Veliu në pjesën e parë (28’ e 44’) dhe një gol Arbnor Ramadani në pjesën e dytë (84’). Pas kësaj fitoreje llapjanët e përforcojnë pozitën e katërt me 39 pikë.