24 tetor, 2021 – Skuadra e Ballkanit vazhdon të kryesojë renditjen e BKT Superligës së Kosovës në futboll edhe pas përmbylljes së javës së 12-të. Skuadra portokallezi nga Suhareka  ka shënuar fitore para tifozëve të vet ndaj skuadrës kampione në fuqi, Prishtinës, me rezultat 2:0, duke e ruajtur pozitën e parë në renditje, me 21 pikë, një më shumë se dy ndjeksit më të afërt, Drenica e Gjilani. Pjesa e parë ishte e barabartë si me lojë ashtu edhe me rezultat, ndonëse Prishtina nga minuta e 30-të luajti me një lojtar më pak, pas përjashtimit të Makendas me karton të kuq pas dy të verdhëve. Përparësinë numerike në fushë vendasin e shfrytëzuan maksimalisht në pjesën e dytë, kur arritën të shënojnë dy herë. Rezultatin e zhbllokoi Theophilus Solomon, në minutën e 58-të, kur realizoi me kokë pas harkimit të Ermal Krasniqit. Ndërkaq, ky i fundit e vendosi rezultatin përfundimtar me një gol të bukur nga distanca. Fitore në shtëpi dhe me të njëjtin rezultat (2:0) shënoi edhe Drenica në duel me Dukagjinin. Të dy golat për kuqezinjtë e Skenderajt i realizoi braziliani Dennison, të parin nga penalltia në minutën e 36-të, derisa të dytin në minutën e 70-të. Pas kësaj fitoreje, Drenica ruan pozitën e dytë, me 20 pikë, aq sa ka edhe Gjilani, në pozitën e tretë, derisa Dukagjini renditet në pozitën e 8-të, me 10 pikë.