20 mars, 2022 – Skuadra lidere e BKT Superligës, Ballkani, ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Drenicën, në kuadër të javës së 26-të. Portokallezinjtë nga Suhareka iu gëzuan fitores së 16-të në këtë edicion, me rezultat 2:0, duke u shkëputur 5 pikë ndaj ndjekësit më të afërt, Gjilanit. Blend Baftiu realizoi golin e parë në ndeshje në minutën e 40-të, derisa rezultatin përfundimtar e vendosi Lumbardh Dellova, në minutën e 59-të. Ballkani kryeson renditjen me 54 pikë, derisa Drenica renditet në pozitën e shtatë, me 32 pikë. Edhe ndeshja tjetër e ditës së sotme ka përfunduar me rezultat identik, ku Drita ka shënuar fitore ndaj Prishtinës në Gjilan (2:0). Rezultatin e zhbllokoi Marko Simonovski, në minutën e 48-të, derisa fitoren e Dritës e vulosi Princ Balde, në minutën e 81-të, falë edhe reagimit jo të mirë të mbrojtësit Gledi Mici. Drita pas kësaj fitoreje ka 46 pikë në vendi e tretë, derisa Prishtina mbetet në kuotën e 32 pikëve në vendin e gjashtë.