9 maj, 2024 – Lideri i renditjes, Ballkani ka bërë një hap tjetër drejt mbrojtjes së titullit të kampionit, pasi ka shënuar fitore si mysafir ndaj Malishevës, në stadiumin “Liman Gegaj, në kuadër të javës së 33-të në Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra nga Suhareka fitoi me rezultat 2:0, me golat e Bajram Jashanicës dhe Bernard Karricës. Pas kësaj fitoreje Ballkani ka arritur në kuotën e 69 pikëve dhe tashmë ka katër pikë më shumë se ndjekësit, Drita dhe Llapi, kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund të kampionatit. Fitore si mysafire ka realizuar edhe Drita, që arkëtoi pikët e plota në stadiumin e Ramiz Sadikut në kryeqyter në përballje me Prishtinën, 2:1. Besnik Krasniqi nga penalltia dhe Blerim Krasniqi me kokë shënuan për Dritën, kurse Drilon Islami shënoi golin e vetëm për Prishtinën. Ndërkohë, Llapi nuk ka arritur të marrë pikët e plota në udhëtim në duel me Gjilanin, duke barazuar 1:1. Jarovic shënoi për vendasit, derisa për Llapin shënoi Muhamet Hyseni. Pas këtij barazimi Llapi tani ngec katër pikë me Ballkanin, derisa Gjilani bjen në pozitën e 8-të që dërgon në barazh. Dy skuadrat tjera që po luftojnë për t’iu shmangur barazhit, Feronikeli 74 dhe Dukagjini shënuan fitore, në përballje me dy skuadrat që tashmë janë përshëndetur nga elita. Feronikeli 74 mposhti Lirinë (4:1), derisa Dukagjini fitoi ndaj Fushë Kosovës (2:1).