7 qershor, 2020 – Ballkani dhe Gjilani nuk kanë arritur të rikthehen në kampionat ashtu siç e kishin parashikuar. Pauza prej gati tre muajsh duket se ka lënë gjurmë te këto dy skuadra të cilat luftojnë për titullin e kampionit. Edhe pse llogariteshin favoritë në duelet e sotme si vendase kundër Drenicës dhe Trepçës’89, në fund janë detyruar të pajtohen me nga një pikë në këto përballje. Madje, Drenica ishte shumë afër qëllimit edhe për të marrë tri pikë të plota në Suharekë, por goli i shënuar nga Argjend Bardhi nuk e mori ‘bekimin’ e gjyqtarit Alban Shala, i cili e shfuqizoi atë për shkak të lojës së rrezikshme. Ndërkohë, Trepça’89 nuk u dorëzua në Gjilan, duke arkëtuar një pikë shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë në elitë. Të parët në epërsi kaluan gjilanasit me golin e Fiton Hajdarit në minutën e 40-të nga penalltia. Mirëpo, baraspeshën në rezultat e riktheu sulmuesi i spikatur i Trepçës’89, Arb Manaj, me golin e shënuar në minutën e 55-të. Skuadra tjetër që lufton për titull, Prishtina, ka realizuar fitore me rezultat bindës, 8:1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në përballje me Ferizajn. Golat për bardhekaltrit i shënuan Meriton Korenica (10’, 48’, 58’), Ahmed Januzi (30’), Diar Miftaraj (47’), Endrit Krasniqi (65’ – pen.), Otto John (70’) dhe Kreshnik Uka (78’), ndërsa golin e vetëm për Ferizajn e shënoi Altin Ibrahimi në minutën e 17-të. Me këtë fitore kryeqytetasit janë ngjitur në pozitën e tretë, tanë me 44 pikë, dy më pak se Drita që kryeson renditjen dhe një më pak se Ballkani që gjendet në pozitën e dytë.
Rezultatet
Ballkani – Drenica 0:0
Gjilani – Trepça ’89 1:1
Drita – Flamurtari 1:0
Feronikeli – Vushtrria 3:1
Llapi – Dukagjini 4:1
Prishtina – Ferizaj 8:1