17 prill, 2022 – Skuadra e Ballkanit e ka bërë një hap të rëndësishëm në synimin e saj drejt titullit të parë të kampionit në histori të klubit. Portokallezinjtë nga Suhareka, të dielën, kanë shënuar fitore në shtëpi, në përballje me skuadrën kampione në fuqi, Prishtinën, me rezultat 2:0, në kuadër të javës së 29-të në BKT Superligë. Deri te fitorja e 19-të në këtë edicion Ballkani arriti me golat e Blend Baftiut, në minutën e 34-t dhe Ermal Krasniqit, në minutën e 39-të, e ku asistues në të dy golat ishte Nazmi Gripshi. Ky i fundit siguroi edhe një penallti në minutën e 9-të, por atë nuk e konkretizoi Ermal Krasniqi. Pas kësaj fitoreje, Ballkani vazhdon ta mbajë pozitën e parë me 63 pikë, tetë më shumë se ndjekësi më i afërt, Gjilani. Ndërkaq, në ndeshjen tjetër Llapi ka shënuar fitore në duel me Dritën në stadiumin “Zahir Pajaziti”, me rezultat 1:0. Deri te kjo fitore e rëndësishme llapjanët erdhën falë autogolit të Princ Baldes, në minutën e 11-të të ndeshjes. Llapi renditet i katërti me vetëm pesë pikë ngecje ndaj Dritës, që zë pozitën e tretë.