11 shkurt, 2023 – Sulmuesi i spikatur Albion Rrahmani ka realizuar ‘Hat-Trick’ në hapje të stinorit pranveror në Albi Mall Superligë. Ai e ka ndihmuar Ballkanin t’i gëzohet fitores ndaj Malishevës, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Liman Gegaj”, me rezultat 4:2, në kuadër të javës së 19-të. Rrahmani e ndëshkoi ish-skuadrën e tij në minutat 28′, 35′ e 43’, derisa me një gol kontribuoi Veton Tusha (81’). Në anën tjetër, golat për Malishevën i shënuan Ilir Mustafa (69’) dhe Drilon Hazrollaj (74’). Tri pikë si mysafir i ka arkëtuar edhe Llapi, që ka arritur ta mposhtë Drenicën, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, me rezultat 1:0. Golin e fitores për skuadrën e Tahir Batatinës e realizoi Francisco Rivera, nga penalltia në minutën e 12-të. Ndërkaq, Gjilani u detyrua të pajtohet me një pikë në shtëpi, pasi nuk arriti të gjejë golin në duel me Ferizajn (0:0).