12 maj, 2024 – Kampioni në fuqi, Ballkani ka realizuar fitoren e katërt radhazi dhe të 21-tën në këtë edicion, duke hedhur një hap tjetër drejt mbrojtjes së titullit. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja, të dielën, e mposhti Fushë Kosovën, me rezultat 3:0, me golat e shënuar nga Walid Hamidi, Almir Kryeziu dhe Bernard Karrica. Kësisoj, Ballkani arriti në kuotën e 72 pikëve, duke e ruajtur epërsinë prej katër pikësh ndaj skuadrës së Llapit. Kjo e fundit, shënoi fitore para tifozëve të vet në duel me Malishevën, me rezultat 1:0, për t’i mbajtur gjallë shpresat për titull edhe më tutje, kur kanë mbetur edhe dy javë deri në mbyllje të këtij edicioni. Golin e fitores për llapjanët e shënoi Ahmed Januzi. Në javën e ardshme Llapi do të jetë mikpritës i Ballkanit, ndeshje kjo e cila pritet të dhurojë emocione të mëdha. Ndërkohë, Drita pas barazimit të sotëm në shtëpi ndaj Feronikelit 74 (0:0) duket se është dorëzuar në garën për titull, pasi tashmë ngec 6 pikë me liderin. E fitores iu gëzua Dukagjini në duel me Prishtinën (1:0), me golin e Redon Sylës, sikurse edhe Gjilani si mysafir i Lirisë në Prizren (3:1), me dy gola të Kushtrim Shabanit dhe një gol të Senad Jaroviqit.