13 nëntor, 2023 – Kampioni në fuqi dhe lideri aktual i Albi Mall Superligës, Ballkani ka shënuar fitore në ndeshjen e fundit të javës së 14-të ndaj Dukagjinit. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Suharekë është mbyllur me shifrat 3:1 në të mirë të portokallezinjve. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja kaloi në epërsi në minutën e 15-të përmes Nazmi Gripshit. Skuadra e Armend Dallkut barazoi shifrat në fund të pjesës së parë me golin e realizuar nga Vitor Hugo. Megjithatë, Ballkani në pjesën e dytë ishte edhe më konkret, teksa realizoi dy gola tjerë. Fillimisht, Almir Kryeziu e riktheu epërsinë e Ballkanit në minutën 49-të, derisa fitoren e vulosi Bleart Tolaj, në minutën e 90-të me kokë. Pas kësaj fitoreje Ballkani u shkëput në 7 pikë ndaj ndjekësve më të afërt, Dritës e Llapit, ndërsa Dukagjini, të cilit iu ndal seria prej 11 ndeshjeve pa humbje, mbetet në pozitën e gjashtë me 17 pikë.