27 nëntor, 2022 – Ballkani dhe Prishtina kanë shënuar fitore si mysafire dhe atë me rezultate bindëse në kuadër të javës së 18-të (të fundit për stinorin vjeshtor) në AlbiMall Superligën e Kosovës në futboll. Kampioni në fuqi triumfoi në duel me Gjilanin, me shifrat 3:0, me dy gola të Ermal Krasniqit (67’ e 90’) dhe një gol të Bajram Jashanicës (37’). Pas kësaj fitoreje Ballkani vazhdon të qëndrojë në pozitën e dytë, me 33 pikë, 5 më pak se Drita, por i ka edhe tri ndeshje të mbetura të këtij stinori për shkak të pjesëmarrjes në garat evropiane. E pikërisht një ndeshje të mbetur me Ballkanin e ka edhe Prishtina. Kjo e fundit, të dielën fitoi me të njëjtin rezultat në stadiumin “Riza Lushta” në duel me Trepçën’89, duke i dhënë fund serisë prej katër ndeshjeve pa fitore. Rezultatin e zhbllokoi Kreshnik Uka, në minutën e 39-të, derisa më pas në pjesën e dytë fitorja u vulos nga golat e Muhamed Useinit dhe Ramiz Bytyqit. Ndërkohë, dueli ndërmjet Malishevës dhe Llapit nuk ka prodhuar fitues por as gola.