19 korrik, 2023 – Kampioni i Kosovës, FC Ballkani është eliminuar sërish në rrethin e parë të Ligës së Kampionëve. Skuadra portokallezi nuk ka arritur ta ruajë epërsinë e dy golave nga ndeshja e parë në “Fadil Vokrri”, duke pësuar humbje të thellë në ndeshjen e kthimit ndaj kampionit të Bullgarisë, Ludogorets, me shifrat 4:0.
Ludogorets ka mbizotëruar plotësisht në duelin e kthimit. Bullgarët kaluan në epërsi që në minutën e katërt kur shënoi ganezi Bernard Tekpeteyt, duke shfrytëzuar gabimin e mbrojtjes së skuadrës kosovare. I njëjti futbollist realizoi edhe në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Edhe pjesa e dytë nisi keq për skuadrën e Ilir Dajës, e cila pas një mosmarrëveshje të Jashanicës me Koliqin e shfrytëzoi Matias Tissera që shënoi për 3:0, kur po luhej minuta e 49-të. Ndërkohë, golin e qetësisë për bullgarët e shënoi Caio Vidal Rocha në minutën e 78-të. Pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, Ballkani i vazhdon garat në Ligën e Konferencës.