6 mars, 2022 – Sot janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të javës së 23-të në BKT Superligë të Kosovës në futboll. Skuadra lidere, Ballkani, ka realizuar fitoren e radhës, duke e mundur Llapin, me rezultat të ngushtë, 1:0, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Suharekë. Golin e fitores e shënoi sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi, në minutën e 75-të. Me këtë fitore Ballkani mbetet lider me 48 pikë të mbledhura, dy më shumë se skuadra e Gjilanit që renditet i dyti. Kjo e fundit ka arritur fitore në duel me Ulpianën, me shifrat 2:0, me golat e realizuar nga Gerhard Progni (54’) dhe Shend Kelmendi (75’). Ndërkohë, Drita ka pësuar humbje në Skenderajn në duel me Drenicën, me rezultat 2:1. Fatlum Gashi (8’) e Kreshnik Uka (45’+1) nga penalltia shënuan për Drenicën, derisa golin e nderit për Dritën e shënoi Almir Kryeziu (46’).