28 tetor, 2020 – Janë zhvilluar ndeshjet e javës së 9-të në Superligë. Skuadra kryesuese, Ballkani ka shënuar fitore në shtëpi kundër Prishtinës, me përmbysje të rezultatit në fund të takimit, me shifrat 2:1. Prishtina kaloi në epërsi në minutën e 34-t me golin e Otto John. Këtë epërsi prishtinasit e ruajtën deri në minutën e 88-të, kur Mevlan Zeka barazoi shifrat me golin e shënuar me kokë. I njëjti futbollist doli në skenë sërish në minutat shtesë, duke shënuar edhe njëherë, për t’ia siguruar tri pikë të reja skuadrës së tij, e cila tashmë e përforcon pozitën e parë me 22 pikë. Ndërkohë, fitore në shtëpi kanë realizuar edhe Drenica, Gjilani e Feronikeli, derisa Drita ka qenë skuadra e vetme që ka arkëtuar pikët e plota në udhëtim. Drenica ka triumfuar në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj në përballje me Trepçën’89, me rezultat 2:1. Golat për Drenicën i shënuan Shkëlzen Lushtaku (67′) dhe Baton Zabërgja (81′), derisa golin e vetëm për mitrovicasit e realizoi Ardian Muja nga penalltia (90′). Ndërkaq, Gjilani realizoi fitore kundër Besës, me rezultat të ngushtë 1:0, falë autogolit të Matheus de Paula (45′). Një gol për tri pikë i ka mjaftuar edhe Feronikelit në duel me Llapin, ku shënues ishte Yll Hoxha, sikurse edhe Dritës që me golin e Festim Alidemajt iu gëzua fitores në Obiliq në përballje me Arbërinë.