24 shtator, 2023 – Kampioni në fuqi, Ballkani ka shënuar fitore të vështirë para tifozëve të vet në kuadër të javës së 6-të në Albi Mall Superligë. Portokallezinjtë kanë mposhtur Malishevën, me rezultat të ngushtë 3:2. Mysafirët shënuan të parët përmes Drilon Hazrollajt, në minutën e 7-të. Por, skuadra e Ilir Dajës përmbysi rezultatin me golat e Gentrit Halilit, në minutën e 21-të dhe Nazmi Gripshit në minutën e 30-të. Në pjesën e dytë, Ballkani shënoi edhe një herë përmes Qëndrim Zybës, në minutën e 75-të. Por, Malisheva u kundërpërgjigj dy minuta më vonë me golin e Altin Aliut për ta ngushëtuar rezultatin në 3:2, por pa arritur më pas ta ndryshojë epilogun e ndeshjes. Fitore para tifozëve të vet ka realizuar edhe Drita, që e ka mundur Prishtinën me rezultat bindës 3:0. Të tre golat gjilanasit i shënuan në pjesën e dytë. Realizuan Almir Ajzeraj, Albin Prapashitca dhe Kastriot Selmani. Ndërkohë, Feronikeli 74 ka shënuar fitore si mysafir në Prizren ndaj Lirisë, me një përmbysje të jashtëzakonshme të rezultatit (5:3). Liria e nisi rrufeshëm ndeshjen dhe krijoi epërsi prej tre golash përmes Petrus (3′) Alidemës (6′) dhe Tijuezës (13′). Mysafirët nga Drenasi e ngushëtuan disavantazhin me golin e Zoungranas në minutën e 36-të, teksa kthimin e madh e bënë në pjesën e dytë kur shënuan edhe katër gola: Bruqi (59′), Avdyli (61′), Berisha (66′) dhe Rrahmani (90′).