9 prill, 2022 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së 28-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kryesuese në renditje, Ballkani ka shënuar fitore të vështirë si mysafire në duel me Dukagjinin, me rezultat 1:0. Golin e fitores për portokallezinjtë nga Suhareka e realizoi Meriton Korenica, në minutën e 81-të. Skuadra nga Klina luajti me një lojtar më pak që nga minuta e 63-të pas përjashtimit të Bujar Shabanit me kartonin e dytë të verdhë. Ballkani tani ka 60 pikë, derisa Dukagjini mbetet në pozitën e tetë me 30 pikë. Në ndeshjen tjetër, Gjilani ka shënuar fitore përballë Drenicës, me rezultat bindëz 5:0. Gjilanasit kaluan në epërsi në minutën e 14-të falë autogolit të Shkëlzen Lushtakut. Epërsinë në 2:0 e shtoi Keita Razak në minutën e 42-të. Ndërkaq në pjesën e dytë futbollistët e Ismet Munishit realizuan edhe tre gola tjerë nëpërmjet Donjet Shkodrës (76′), Blerim Krasniqit (80′) dhe Gerhard Progni (90’+4′). Pas kësaj fitoreje Gjilani renditet i dyti, me 52 pikë, tetë më pak se Ballkani, kur kanë mbetur edhe 8 xhiro deri në fund të kampionatit.