28 shtator, 2022 – Sot janë zhvilluar dy ndeshje të mbetura në Albi Mall Superligën e Kosovës. Kampioni në fuqi, Ballkani, ka shënuar fitore si mysafir ndaj Malishevës, me rezultat 3:2, në ndeshjen e mbetur të javës së parë. Të parët në epërsi kaluan vendasit me golin e Agon Xhakës, në minutën e parë. Shifrat i barazoi Ermal Krasniqi, në minutën e 44-t. I njëjti futbollist e kaloi Ballkanin në epërsi në minutën e 57-të, teksa epërsinë në 3:1 e shtoi Meriton Korenica, me golin e minutës së 74-t. Përkundër përpjekjeve për t’u rikthyer në rezultat vendasit nuk arritën më shumë se sa ta ngushtojnë disavantazhin krejt në fund të ndeshjes, me golin e Behar Maliqit. Kjo fitore ia mundësoi portokallezinjve të Suharekës që të ngjiten në pozitën e dytë, me 15 pikë.
Ndërkohë, në orët e mbrëmjes në stadiumin “Fadil Vokrri” u zhvillua derbi ndërmjet Prishtinës dhe Dritës, që i takonte javës së 3-të, që u mbyll pa fitues dhe pa gola (0:0). Të dyja ekipet patën disa mundësi të mira shënimi, por asnjëra palë nuk u tregua efikase para portës.