28 prill, 2024 – Kampioni në fuqi, Ballkani ka realizuar fitoren e radhës në kuadër të javës së 31-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Golat e shënuara nga Nazmi Gripshi, në minutën e 49-të dhe Lumbardh Dellova, në minutën e 81-të i siguruan skuadrës së trajnerit Ilir Daja një fitore të rëndësishme ndaj Gjilanit në udhëtim, që e lejon të mbajë pozitën e parë me 63 pikë, dy më shumë se rivalët më të afërt, Llapi dhe Drita.
Në anën tjetër, Llapi tregoi një paraqitje shumë të mirë në stadiumin e Ramiz Sadikut në kryeqytet, ku e mposhti Prishtinën, me rezultat 2:0. Sulmuesi Muhamet Hyseni ishte protagonisti i ndeshjes, duke shënuar të dy golat për Llapin, në minutat e 13-të dhe 81-të.
Ndërkohë, Drita u detyrua të kënaqet vetëm me një pikë në udhëtim në Klinë, pasi pësoi golin e barazimit në minutat shtesë.
Autogoli i Vitor Hugos, në minutën e 36-të i dha epërsinë Dritës, por një pikë Dukagjinit ia siguroi Granit Elezaj, në minutën e 10-të të kohës shtesë.