5 mars, 2023 – Derbi i javës së 23-të në Albi Mall Superligë ndërmjet Prishtinës dhe Ballkanit, që u zhvillua të dielën, në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, pas një loja emocionuese ka përfunduar pa fitues, me rezultat 2:2. Kjo përballje solli një lojë të mirë dhe me aksione të rrjedhshme, por që të gjithë golat u shënuan në pjesën e dytë. Prishtina krijoi epërsi prej dy golash brenda 10 minutash në pjesën e dytë përmes Bujar Pllanës (51’) dhe Endrit Krasniqit (61’). Megjithatë, lojtarët e Ballkanit nuk u dorëzuan, teksa shpresë u dha supergoli i Nazmi Gripshit në minutën e 80-të nga distanca. Krejt në fund të kohës shtesë u akordua penallti për Ballkanin pas ndërhyrjes së VAR-it, për shkak të ndërhyrjes së palejueshme të portierit Agron Kolaj. Nga penalltia i saktë u tregua topshënuesi i Ballkanit, Albion Rrahmani, duke e vendosur rezultatin përfundimtar, 2:2. Ndërkohë, ndeshja tjetër e ditës së sotme ndërmjet Trepçës ’89 dhe Malishevës u mbyll pa gola. Tri ndeshjet e tjera të kësaj jave u zhvilluan të shtunën. Drita fitoi ndaj Llapit, me rezultat 2:0, me golat e realizuar nga Kushtrim Shabani (autogol) dhe Almir Ajzerajt. Fitore të rëndësishme ka shënuar edhe Gjilani dhe atë si mysafir në duel me Dukagjinin, me rezultat 1:0, me golin e Mevlan Zekës, si dhe Drenica që i ka dhënë fund serisë negative, duke e mposhtur Ferizajn, 1:0, me golin e Bintsouka Koxy.