13 shtator, 2019 – Skuadra e Ballkanit ka shënuar fitoren e dytë në këtë edicion të IPKO Superligës, pasi sot në kuadër të javës së 4-t e ka mposhtur Trepçën’89, me rezultat 3:2. Kësisoj, Ballkani është ngjitur në pozitën e parë, teksa ia ka shkaktuar “minatorëve” humbjen e parë në këtë edicion. Të dyja skuadrat dhuruan lojë spektakulare, me aksione të rrjedhshme dhe me gola. Vendasit e nisën më mirë ndeshjen dhe kaluan në epërsi qysh në minutën e parë, me golin e  Artur Maganit. Vetëm 11 minuta më pas epërsinë e shtoi Blend Baftiu pas gabimit të portierit mysafir, Arben Beqiri. Edhe pjesa e dytë nisi më mirë për vendasit, të cilët në minutën e 50-të shënuan edhe golin e tretë, kësaj radhe realizues ishte Arbër Hoxha. Mirëpo, as ky gol nuk i demoralizoi mysafirët, të cilët në vazhdim luajtën dukshëm më mirë. Në minutën e 57-të Arb Manaj e ngushtoi epërsinë në 3:1, kur shënoi nga pika e bardhë, pasi paraprakisht Edmond Turku kishte ndërhyrë në mënyrë të palejuar ndaj Gëzim Rusit. Ndërkohë, minutat e fundit të ndeshjes ishin tejet interesante, sidomos pas golit të dytë të mitrovicasve në minutën e 81-të, të cilin e shënoi Arb Manaj. Mirëpo, minutat e mbetura nuk i mjaftuan Trepçës’89 për të bërë ndryshim në epilogun e kësaj ndeshjeje.