26 korrik, 2022 – Skuadra kampione në fuqi, Ballkani është kualifikuar në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës. Portokallezinjtë, të martën në mbrëmje, në stadiumin „Fadil Vokrri“ e kanë mundur skuadrën e San Marinos, La Fiorita, me rezultat bindës 6:0, duke vendosur rekord sa i përket fitores më bindëse të skuadrave të Kosovës në garat evropiane. Në fakt, deri tani rekordin e mbante Prishtina, e cila kishte fituar me rezultat 5:0. Kësisoj, Ballkani kaloi tutje me shifrat e përgjithshme pas dy ndeshjeve, 10:0. Protagonisti kryesor i mbrëmjes ishte Albion Rrahmani, i cili realizoi het-trik, që njëherësh është futbollisti i vetëm i klubeve kosovare që e arrin një gjë të tillë në Evropë. Ai realizoi në minutat 6′, 8′ dhe 69′, derisa me dy gola kontribuoi Leonit Abazi (73’ 90’) dhe me një gol Ermal Krasniqi (75′). Në rrethin e tretë, Ballkani do të ballafaqohet me fituesin e ndeshjes Sutjeska – Klaksvik.