18 qershor, 2024 – Skuadrat kosovare kanë mësuar kundërshtarët e tyre në garat evropiane. Ballkani ka pasur fat në shortin e tërhequr në selinë e UEFA-së në Nion, pasi në rrethin e parë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve do të përballet me skuadrën nga Andorra, Santa Coloma. Ndeshjen e parë portokallezinjtë do ta luajnë si vendas më 9 ose 10 korrik, ndërsa atë të kthimit më 16 ose 17 korrik në Andorrë. Skuadra nënkampione Llapi, do të ketë një ballafaqim të fortë në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, pasi do të sfidohet nga skuadra polake, Wisla Krakow. Ndeshjen e parë llapjanët e luajnë në shtëpi më 11 korrik, ndërsa ndeshjen e kthimit më 18 korrik në Poloni. Ndërkohë, skuadra e Malishevës, e cila do të bëjë debutimin e saj në garat evropiane, në rrethin e parë të Ligës së Konferencës do të ketë punë me skuadrën e njohur malazeze, Buduçnost nga Podgorica. Edhe malishevasit ndeshjen e parë do ta zhvillojnë si vendas më 11 korrik, ndërsa atë të kthimit më 18 korrik në Podgoricë. Skuadra e Dritës, e cila garat në Ligën e Konferencës do t’i nisë nga rrethi i dytë, kundërshtarin e saj do ta mësojë të mërkurën. Ndeshjen e parë gjilanasit do ta zhvillojnë më 25 korrik.